Qytetarët e Korçës kanë filluar të sigurojnë drutë e zjarrit për ngrohje, duke zgjedhur këtë si alternativën më të mirë për të përballuar temperaturat e ulëta gjatë dimrit. Por sipas tyre çmimi i shitjes është i papërballueshëm. Aktualisht në pikat që tregtojnë lëndën drusore në qytetin e Korçës, një metër kub dru ahu shitet me 2 mijë lek, ndërsa një metër sterë kushton 5 mijë lek. Qytetarët shprehen se e kanë të pamundur të përballojnë këto çmime, pasi për të mbuluar ngrohjen përgjatë sezonit të dimrit një familjeje i nevojiten 10 deri në 12 metër stere dru, pra do të duhen nga 50 mijë deri në 60 mijë lekë, shifër kjo shumë e lartë krahasuar me të ardhurat e tyre.
Nga ana tjetër administratorët e pikave ku tregtohet lënda drusore thonë se se çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por sipas tyre është ulur interesi i qytetarëve për të blerë dru për ngrohje, pasi një pjesë e tyre zgjedhin mundësi të tjera alternative, duke përdorur gazin apo energjinë elektrike.