• Raportime

Shuhet Ismail Kadare/ Shqipëria humb kolosin e letrave shqipe

Është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit në moshën 88-vjeçare shkrimtari Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare dhe autor i shumë veprave dhe poemave të përkthyera në shumë gjuhë të botës. Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe në karrierën e tij ka qenë akademik, politikan dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Kadare është shquar për prozat e tij, por kontribuoi edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Shkrimtari Kadare është kandidatura disa herë për çmimin “Nobel” në Letërsi. Kadare kreu studimet në Moskë, por u detyrua t’i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare, por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare “Drita”. Veprat i tij i shpëtuan edhe censurës së komunizmit, si vepra e tij e famshme “Pallati i ëndrrave”. Kadare është vlerësuar me çmimet botërore “Cino del Duca”, çmimin “Man Booker” ndërkombëtar, Çmimin e letërsisë së Princit të Asturias, çmimin “Jerusalem”, çmimin “Nonino 2018”,  çmimin “Bokacio”, çmimin “Lerici Pea” po në Itali. Presidenti francez Macron i dha titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, duke e cilësuar si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”. Largimi i tij nga jeta është një humbje e madhe me kombin dhe letërsinë shqiptare, për miqtë, familjarët dhe kolegët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *