Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në qytetin e Pogradecit ku ka shpërthyer një bombol gazi në katin e pestë të një pallati duke rrezikuar jetën e dy të moshuarve. Ngjarja ka ndodhur në një pallat në lagjen 5 të qytetit liqenor, por fatmirësisht nuk janë regjistruar të plagosur. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se në momentin e shpërthimit në banesë kanë qenë dy të moshuar të cilët kanë qenë duke konsumuar kafen e mëngjesit. Mendohet se fillimisht ka pasur rrjedhje gazi dhe më pas bombola ka shpërthyer.
Për pasojë dritarja e banesës ka fluturuar në ajër prej katit të pestë ndërsa kur ka rënë në tokë ka rrezikuar jetët e qytetarëve që kanë qenë duke kaluar poshtë pallatit. Gjithashtu shpërthimi i bombolës ka shkaktuar edhe dëme të shumta materiale brenda banesës. Të moshuarit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore por janë tronditur nga shpërthimi.
Rruga poshtë pallatit ku ndodhi ngjarja është një nga më të populluarat dhe me numrin më të madh të kalimtarëve gjatë orëve të mëngjesit. Menjëherë pas shpërthimit policia dhe forcat zjarrfikëse kanë shkuar në vendgjarje për të kryer hetimet përkatëse dhe zbuluar më shumë për rrethanat e ngjarjes.