Nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar Sheqeras, kanë sjellë një aktivitet festiv me rastin e 1 qershorit të ndërthurur edhe me disa veprimtari të zhvilluara në kuadër të dy nismave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, programit “Shkolla Qendër Komunitare”, dhe programit “Art, Zeje dhe Sport”. Programi artistik me recitime, këngë, e kërcime i udhëhequr nga mësuesja Oriona Xhoga dhe angazhimin e mësuesve të tjerë, ka përcjellë një atmosferë të bukur për stafin pedagogjik dhe prindërit e fëmijëve.
Për drejtorin e shkollës këto nisma të ministrisë janë shumë të vlefshme jo vetëm për të afruar sa më shumë komunitetin me shkollën, por edhe për të argëtuar dhe aftësuar më shumë nxënësit, përmes aktiviteteve të ndryshme që zhvillohen jashtë programit mësimor, duke u dhënë kështu mundësi që të shpalosin talentin e tyre në fusha të ndryshme.
Këto aktivitete vlerësohen nga prindërit dhe gjyshërit e fëmijëve të cilët shprehen se përmes këtyre veprimtarive fëmijët argëtohen dhe në këtë mënyre rritet bashkëpunimi mes tyre dhe shkollës.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe këndi i gatimit ku fëmijët kanë prezantuar ushqime të ndryshme të cilat i kishin gatuar bashkë me nënat dhe gjyshet e tyre.
Nuk ka munguar edhe këndi i traditës, ku fëmijët kanë ekspozuar objekte të ndryshme si dhe punime dore, duke përcjellë mesazhin se këto tradita duhet të trashëgohen ndër breza.
Në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Maliq janë 17 shkolla të përfshira në programin “Shkolla Qendër Komunitare”, të cilat përgjatë këtij muaji janë duke organizuar veprimtari të tilla artistike, kulturore dhe sportive.