• Korça

Shfaqja “Burka e Medeas”/ Vijon Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “Albamono”

Burka e Medeas ka qenë shfaqja e ngjitur në skenë natën e katërt të festivalit ndërkombëtar të monodramës Albamono. Trupa greke e teatrit të Larisës ka zgjedhur këtë shfaqje të interpretuar nga aktorja shqiptare Marsela Lena, pasi përcjell mesazhe të fuqishme dhe aktuale:

“Është hera e parë që vijmë këtu në Korçë, në këtë qytet mikpritës. Është bukur që jemi këtu me kaq shumë kolegë të çmuar. Kemi qenë vetëm njëherë në një shfaqje në festivalin e Butrintit në 2019. Mesazhi i shfaqjes Burka e Medeas lidhet me një korridor antagonist i cili ekziston kur ndjehesh i papranuar dhe vazhdimisht përpiqesh të ndryshosh pamjen e vetes tënde. Ky festival është mjaft i vlefshëm sidomos edhe për ne grekët pasi jemi fqinjë, ky komunikim besoj se duhet të jetë më i shpeshtë, deri sa të krijohet një fqinjësi reale”.

Ka qenë një performancë e përcjellë me mjaft interes edhe nga turistë të huaj të cilët, pavarësisht se nuk e kuptonin gjuhën greke, u mahnitën nga loja aktoriale:

“Ne e duam shumë teatrin në përgjithësi. Vijmë nga Roma ku jemi njohur me historinë greko romake dhe jemi të mjaft të apasionuar. Ishte shumë emocionuese kjo shfaqje, aktorja ishte shumë profesioniste. Bravo të gjithë atyre që e kanë organizuar”.

“Ishte një eksperiencë e papritur, një nga ato gjëra që ndodhin rastësisht, por që të mbushin ditën dhe jetën dhe që do e kujtojmë gjithmonë”.

Në natën e pestë të festivalit të monodramës do të prezantohet trupa e teatrit të Madridit në Spanjë, me shfaqjen Përgjithmonë gjallë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *