• Pogradec

Shëtitorja e re në Drilon, gati për shtrimin e rrugës më asfalt

Punimet për ndërtimin e një shëtitoreje të re në Drilon kanë ecur me ritme të kënaqshme. Brenda një kohe të shkurtër, fshati i  njohur dhe aq i frekuentuar Tushemishti nuk do të ketë më një shëtitore me gropa dhe probleme të tjera urbane. Kjo falë zbatimit të një projekti të financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Amerikan i Zhvillimit, me një vlerë investimi prej rreth 290 mln lekësh. Ky projekt parashikon ndërtimin nga e para të shëtitores prej 1.2 km duke përfshirë në të, kanalizimin e ujrave të zeza, ndërtimin e trotuareve dhe korsive të biçikletave, vendosjen e një sistemi të ri të ndriçimit rrugor, etj. Burime për RTSH Korçën bëjnë me dije se tashmë është gati nisja e asfaltimit të shëtitores si edhe rrugës që të çon deri në Doganën e Tushemishtit.

Njëkohësisht po punohet edhe me kontrabordurën në pjesën e doganës. Po të njejtat burime bëjnë me dije se krahas ndërtimit dhe zgjerimit të shëtitores me të gjithë elementët përkatës urbanë është parashikuar edhe ndërtimi i moleve për varkat. Nevoja për ndërtimin e kësaj shëtitoreje ishte emergjente pasi vit pas viti fshati i bukur i Teto Ollgës ka shënuar rritje të numrit vizitorëve dhe pushuesve dhe ky investim pritet që t’i japë jo vetëm transformim por edhe një frymëmarrje të re kësaj zone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *