Rruga që të çon drejt Pyllit të Fazanëve në Maliq, së shpejti pritet të kthehet në një shëtitore. Kjo do t’i vijë në ndihmë sektorit të turizmit, duke qenë një prej atraksioneve kryesore që përfshin bashkia Maliq, i rijetësuar para disa vitesh duke u kthyer në një ambjent të pastër e çlodhës. Veç kësaj, kjo shëtitore do të lidhë edhe një nga zonat më me risk për këmbësorët dhe mjetet që është segemtni nga kryqëzimi i Libonikut tek ura mbi lumin Dunavec. Puna ka nisur fillimisht me pastrimin e territorit nga mbetjet urbane dhe inertet. Me këtë rast, përgjegjësi i sektorit të jashtëm të shërbimeve publike në njësinë Libonik Sali Cenolli u bën apel banorëve që të mbajnë sa më pastër ambjentin.
“ Pylli i fazanëve” me një sipërfaqe prej rreth 50 Ha ndodhet 10 km larg qytetit të Korçës dhe vetëm 2 km larg qytetit të Maliqit dhe gëzon statusin e monumentit natyror. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm frekuentimi i tij jo vetëm nga banorët e zonës, por është parë me interes edhe nga turistët e huaj.