Numri i pacientëve në nevojë për shërbim në banesë është duke u rritur edhe për shkak të moshimit të popullsisë dhe emigrimit të të rinjve, por edhe shtimit të sëmundjeve kronike apo atyre të pashërueshme. Vetëm në bashkinë e Korçës janë të paktën 300 pacientë të sëmurë me kancer në faza terminale, të cilët kanë nevojë për shërbim në banesë, por një gjë e tillë është e pamundur të ofrohet vetëm nga stafi i qendrës Meri Poter, e cila ndjek këta pacientë. Pikërisht për këtë është kërkuar ndihma edhe e qendrave shëndetësore për ti dhënë mundësi të gjithë pacientëve me sëmundje të pashërueshme, të kenë një shërbim shëndetësor kudo dhe kurdo që ata kanë nevojë.
Pjesë e këtij takimi kanë qenë të gjithë drejtorët e qendrave shëndetësore dhe kryeinfermierët e kujdesit shëndetësor parësor në të gjithë rajonin e Korçës, të cilët janë informuar mbi situatën dhe mbi bashkëpunimin e nevojshëm për ti shërbyer pacientëve me sëmundje të pashërueshme.