• Korça

Shën Prodhromi/ Festa fetare që shënon çeljen e sezonit turistik në Voskopojë

Nesër në 24 qershor kremtohet festa e Shën Prodhromit në Voskopojë, një festë që në fakt për shumë besimtarë nis prej mbrëmjes së sotme, pasi janë të shumtë ata që zgjedhin të kalojnë natën në manastirin me të njëjtin emër, një prej atraksioneve më interesante të Voskopojës, i cili është kthyer në një destinacion pelegrinazhi. Me qindra qytetarë e vizitorë shkojnë ne fshatin turistik për të shijuar natyrën dhe festuar këtë ditë. Festa e Shën Prodhromit shënon edhe çeljen e sezonit turistik për Voskopojën. Me rastin e kësaj dite në manastir organizohet edhe një panair me produkte të ndryshme, por nuk mungojnë edhe gatimet tradicionale të zonës.

Turistët e vizitorët në këtë ditë njihen edhe me historikun dhe vlerat e pazëvendësueshme të manastirit të Shën Prodhromit i cili konsiderohet një prej monumenteve më të rëndësishme në Voskopojë, jo vetëm për periudhën e hershme kur daton, por edhe për elementet unikë në strukturën e saj. Është ndërtuar në shekullin XIV, dhe dihet se kishte kodik që në 1330. Shën Prodhromi është një nga vendet më të lakmuara për pushime malore, me klimë të mrekullueshme dhe me një gjelberim shumë të dendur. Voskopoja dhe sidomos Shën Prodhromi është një nga vendet me klimë më të shëndetshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe më gjërë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *