Gjithnjë e më shumë të rinjtë po i drejtohen arsimit profesional, duke e parë këtë si mundësinë më të mirë për punësimin e tyre në të ardhmen. Kjo është reflektuar edhe në numrin e regjistrimeve për këtë vit të ri shkollor. Sigurisht që sfidat e arsimit profesional janë ende të mëdha, për t’u përmirësuar, për të qënë më pranë tregut të punës dhe për t’u ndërkombëtarizuar.
Nëndrejtorja e Shkollës Profesionale Teknike në Korçë, Julita Bimbli thotë se ndër pikat kryesore që ka nevojë për përmirësim është bashkëpunimi i shkollës me biznesin. Gjithashtu rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe rritjes së cilësisë dhe përditësimit të kurrikulave.
Sa i përket ndërkombëtarizimit Bimbli shton se arsimi profesional është në rrugën e duhur, pasi vitet e fundit është rritur rritur pjesmarrja në projekte ndërkombëtare.
Në Korçë tashmë ka nisur plani i optimizimit, si pjesë e reformës në arsimin e mesëm profesional, që ka sjellë bashkimin e tri shkollave. Reforma synon të rritë cilësinë e arsimit profesional, duke konsideruar kërkesat e tregut dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.