Ky është Sabedin Gurishta, samarxhi dhe nallban. Teksa u ndalëm në punishten e tij në Kamenicë të Korçës, e gjetëm duke punuar. Zanati i samarxhiut, trashëgohet përgjithësisht brenda familjes dhe gjen një shtrirje të gjerë në Qarkun e Korçës pasi kafshët e ngarkesës zënë një vend të rëndësishëm në punët e bujqësisë. 63 vjeçari e ushtron këtë zanat që në moshën 16 vjeçare.
Një samarxhi kryesisht realizon samarin, palldëmin, qengëlan dhe kapistallin. Për të bërë një samar, Gurishta thotë se i duhen deri në 2 ditë kohë. Një samar sot shitet deri në 10 mijë lekë ndërsa kërkesa ka.
Ashtu si çdo profesion, edhe samarxhiu ka vështirësitë e tij. Megjithatë, Gurishta thotë se edhe djemtë e tij e kanë trashëguar këtë zanat, që edhe pse në zhdukje, me anë të tij mund të sigurohen të ardhura të kënaqshme.
Një samar kërkon 5 vjet që të mund të riparohet apo të bëhet nga e para, ndaj dhe frekuenca e punës është në varësi të kërkesave. Veç kësaj, Sabedin Gurishta ushtron dhe zanatin e nallbatit. Ndërsa si kujtim në punishten e tij, mban veglat e punës së të atit dhe këmborët që ai përdorte dikur si bari.