Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri është paraqitur këtë të premte (10 shkurt) në SPAK për abuzimet me projektin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Në një deklaratë për mediat, jashtë ambienteve të SPAK, Gjiknuri deklaroi se ka dhënë në Prokurorinë e Posaçme dëshminë e tij, për atë të cilën ai vetë e ka cilësuar si një nga abuzimet më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri, atë të autostradës Tiranë-Elbasan. Gjiknuri tha se kjo rrugë ishte kontraktuar 240 milionë euro dhe përfundoi me një kosto prej 400 milionë euro.
“Kam qenë në lidhje me rolin si ministër në konstatimin me një nga abuzimet më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri, rruga Tiranë-Elbasan, rruge e cila ishte kontraktuar 240 milionë euro dhe përfundoi me një kosto 400 milionë euro. Shpjegimet i dhashë në Prokurori”, tha Gjiknuri.
Në kohën kur Gjiknuri drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës, depozitoi në vitin 2017 në Prokurori, një kallëzim mbi abuzimet që u konstatuan nga raporti i auditit mbi këtë projekt.
Ishte Gjiknuri ai që urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në dhjetor të 6 viteve më parë. Këtë të premte, Gjiknuri dha shpjegimet lidhur me këtë çështje, pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.