Rruga Panarit Treskë është një segment 7 km i gjatë, por për banorët e Panaritit do të thotë shumë. Kjo rrugë e re, bën të mundur qarkullimin e banorëve të kësaj zone të thellë malore edhe gjatë dimrit, kur për shkak të borës bëhet e pamundur lëvizja përmes aksit Panarit Vithkuq, i cili kalon në majën e Mashkullorës ku trashësia e borës i kalon edhe 3 metra.
Rruga e re është hapur me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe janë përsëri forcat ushtarake që po punojnë për çakullimin e këtij aksi. Në fshatin Panarit jetojnë rreth 30 familje, ose gati 100 banorë ndërsa gjatë verës vijnë edhe disa të tjera. Prej vitesh ata janë bllokuar për disa javë apo edhe muaj gjatë dimrit për shkak të pamundësisë për të qarkulluar, ndërsa tashmë me rrugën e re Panarit Treskë mendohet se kjo problematikë do të marrë fund.