Duke filluar nga data 21 maj do të zhvillohen në Korçë Lojërat Olimpike 2023, një aktivitet i cili organizohet për herë të parë nga Universiteti “Fan Stiljan Noli” nën titullin “Rroke Sportin”. Në të do të marrin pjesë nxënës të shkollave të mesme të qarkut Korçë, duke garuar në disiplina të ndryshme si: Atletikë, Basketboll, Volejboll, Minifutboll, Tenis dhe Shah. Për Anëtaren e Komitetit Drejtues të Lojërave Olimpike Irena Nikaj, qëllimi i organizimit të këtij eventi sportiv është ndërtimi i një jete aktive dhe të shëndetshme për moshat e reja.
Pjesë e lojërave olimpike është edhe shahu, i konsideruar si sporti i mendjes, ndaj dhe për këtë Nikaj thotë se aktivitetet e shumta që organizon universiteti për masivizmin e këtij sporti janë shumë të rëndësishme.
Ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Olimpike 2023 “Rroke Sportin” do të mbahet në datën 21 Maj, në orën 10:30 në stadiumin “Skënderbeu”.