Temperaturat e larta të pazakonta për Korçën kanë rritur edhe numrin e vizitave në urgjencën e spitalit, aty ku çdo ditë paraqiten 70 – 80 pacientë. Kryesisht ankohen për gjendje febrile dhe gastroenterite, ndërsa më e vështirë paraqitet situata për të sëmurët kardiakë apo edhe të sëmurët e tjerë kronikë. Shefja e shërbimit të urgjencës Vlefta Bejko tregon se rritja e rasteve në urgjencë është vënë re menjëherë pas rritjes së temperaturave. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se edhe në rastet e pickimeve nga gjarpëri apo edhe nga insekte të tjera qytetarët duhet të paraqiten sa më parë në urgjencë.
Mjekja bën apel për të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe fëmijët të mos dalin jashtë në orët e pikut, por vetëm herët në mëngjes dhe në mbrëmje.
Edhe gjatë kësaj jave temperaturat pritet të vijojnë të jenë të larta dhe për këtë arsye mjekët këshillojnë kujdes të shtuar për të sëmurët, të moshuarit dhe fëmijët.