Rishfaqen Flamingot në ujërat e liqenit të Pogradecit. Prej gjashtë vitesh këto shpendë janë parë në ujërat e liqenit të Ohrit, një fenomen i rrallë pasi Flamingot zakonisht qëndrojnë në laguna siç është ajo e Nartës apo Karavastasë. Edhe për specialistët prania e këtij shpendi ka të bëjë me tërheqjen e ujërave të liqenit, duke krijuar kushtet e favorshme për qëndrim të përkohshëm të tyre në liqenin e Ohrit.
Nëse gjatë viteve të fundit Flamingot janë parë në fillim të vjeshtës, këtë vit për herë të parë vijnë në pranverë, ku gjatë këtyre ditëve temperaturat kanë shkuar deri në -2 gradë. Për specialistin e zonave të mbrojtura Gani Bego prania e Flamingove në këtë periudhë nuk është e zakonshme, ndaj edhe për këtë specialisti bën me dije se shpendët nuk do të qëndrojnë gjatë në ujërat e këtij liqeni.
Për vite me radhë, në fillim të vjeshtës Flamingot zgjedhin si vend trazit Pogradecin. Bregu i liqenit ka krijuar një habitat të përshtatshëm për Flamingot, që para se të shtegtojnë për në lagunën e Karavastasë ku kalojnë edhe sezonin dimëror, qëndrojnë përkohësisht pranë vijës liqenore.
Nëse vitet e tjera janë parë në Pogradec më shumë individë, këto ditë janë vetëm katër shpendë të tillë. Prania e Flamingove zbukuron akoma më shumë pamjen e liqenit, duke i shndërruar shpendët në një atraksion jo vetëm për banorët, por dhe për turistët që vizitojnë Pogradecin.