• Korça

Rikthehet Liceu Francez në Korçë/ Ambasadorja franceze: Liceu Francez vjen në 2025

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard foli nga Korça për projektin e krijimit të Liceut Francez. Në një prononcim për mediat, Suard u shpreh se Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kanë biseduar në lidhje me këtë projekt.

“Rama dhe Macron kanë pasur bisedime në lidhje me projektin e krijimit të liceut francez. Ne shpresojmë që do ta arrijmë këtë. Në qershor pritet të vijë një ekspert francez për të studiuar terrenin dhe situatat dhe me shpresë mund ta realizojmë diku nga shtatori i vitit 2025”, tha Suard.

Sa i përket zhvillimeve politike në Shqipëri në lidhje me zgjedhjet e 2025, ambasadorja franceze nuk ka dashur të prononcohet. Ambasadorja Suard ka zgjedhur Korçën në Ditën e Frankofonisë, pasi Korça sipas ambasadores është frankofonia në Shqipëri.

“Jam e gëzuar që jam në Korçë dhe ju duhet ta kuptoni përse. Sepse nuk do doja të isha diku tjetër përveçse në Korçë. Sot është dita e Frankofonisë. Korça është frankofonia në Shqipëri. Jam këtu edhe njëherë tjetër më shumë. Vij shpesh për të mbështetur aktivitetin e Aleancës Franceze të Universitetit të bashkisë, me të cilën kemi goxha projekte, edhe një projekt për Liceun Francez. Jam këtu për të mbështetur konkurruesit që do vijnë për konkursin ‘Pena e Artë’”.

Liceu francez ishte një shkollë e mesme në qytetin e Korçës, e financuar nga qeveria Shqiptare, por që përhapte kulturën franceze dhe vlerat evropiane. Shkolla funksionoi plotësisht në vitet 1917-1939.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *