• Korça

Rikthehet bora në juglindje, akset nacionale të qarkullueshme pa probleme

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të juglindjes së vendit. Reshje që kanë sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve në fshatrat e njësive administrative të zonave të thella. Me probleme paraqitet aksi rrugor Bellovodë – Vithkuq – Shtyllë – Panarit. Në këtë zonë trashësia e dëborës ka shkuar deri në 7 cm ndërkohë që në majë të Mashkullorës trashësia ka shkuar deri në 15 cm. Qarkullimi në fshatrat turistik të Voskopojës e Dardhës kryhet normalisht pasi firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen dimërore kanë kryer pastrimin e borës dhe kriposjen e akseve.

Reshje dëbore ka pasur edhe në fshatrat malore të Kolonjës dhe Devollit të Sipërm por nuk raportohen probleme përsa i përket qarkullimit të mjeteve. Firmat kontraktore të akseve Korçë, Qafë e Qarrit, Voskopojë e Dardhë janë në gatishmëri për të mbajtur këto rrugë nacionale të kalueshme. Sipas sinoptikanëve temperaturat në juglindje të vendit pritet të shkojnë deri në – 7 gradë celsius. Në këto kushte, bëhet apel për kujdes të shtuar të drejtuesve të mjeteve, ne veçanti në akset e zonave malore, aty ku prezenca e akullit pritet të jetë më e madhe por gjithashtu kërkohet edhe pajisja e mjeteve me goma dimërore.

Reshjet e dëborës në zonat e thella malore kanë sjellë ndërprerje të energjisë elektrike në 150 familje të fshatrave Cerje, Brozdovec, Mazrekë, si dhe në fshatrat që furnizohen me energji elektrike nga fidri i fshatit Rehovë. Probleme të herëpashershme të furnizimit me energji elektrike ka patur dhe në fshatin turistik të Vithkuqit. Grupet e punës të OSHEE janë në terren për të rikthyer energjine elektrike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *