Ish-pallati i kulturës në fshatin Pojan tashmë po kthehet në një godinë për shkollën e mesme, duke eleminuar kështu edhe mësimin me turne për rreth 500 nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Bardhyl Pojani”. Deri në këto momente kanë përfunduar punimet për fasadën e jashtme, teksa po shkojnë drejt përfundimit ndërhyrjet e tjera, përfshi këtu edhe punimet për rehabilitimin e palestrës së shkollës, ambient që do të shërbejë edhe për aktivitete të ndryshme kulturore e artistike të kësaj njësie administrative.
Pjesë e këtij investimi do të jetë edhe rivitalizimi i sheshit kryesor të fshatit ku edhe ndodhet godina e ish-pallatit të kulturës. Ky investim është bashkëfinancim i Ministrisë të Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Maliq.