51 familje në bashkinë e Maliqit do të përfitojnë falas rikonstruksion të banesave. Bëhet fjalë për familje të cilat janë në kushte të vështira sociale e ekonomike duke e pasur të vështirë të ndërhyjnë në shtëpitë e tyre. Punimet tashmë kanë filluar, falë një projekti të bashkisë së Maliqit i cili financohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në vlerën 32 milionë lekë. Sipas përgjegjësit të sektorit të strehimit Ledion Mullalli ky është viti i katërt që ndërhyhet për rikonstruksionin e banesave të familjeve në nevojë.
Punimet përfshijnë rikonstruksionin e çative, por edhe dyer, dritare, shtrim me pllaka apo edhe rrjetin elektrik. Vasfi Hajdari është një nga qytetarët që përfiton rikonstruksionin e çatisë së banesës. Ai thotë se e ka pasur të pamundur të kryejë vetë rikonstruksionin e banesës.
Punimet për përmirësimin e kushteve të strehimit për kategoritë e pafavorizuara pritet të përfundojnë brenda disa muajsh në varësi edhe të kushteve të motit.