Po shkon drejt përfundimit rikonstruksioni i banesave të familjeve në nevojë në bashkinë e Maliqit. Këtë vit janë 51 familje që kanë përfituar falas rikonstruksion të banesave. Bëhet fjalë për familje të cilat janë në kushte të vështira sociale e ekonomike duke e pasur të vështirë të ndërhyjnë në shtëpitë e tyre. Sipas nënkryetarit të Bashkisë Maliq Eridion Rustemi ky është viti i katërt që ndërhyhet për rikonstruksionin e banesave të familjeve në nevojë.
Punimet përfshijnë rikonstruksionin e çative, por edhe dyer, dritare, shtrim me pllaka apo edhe rrjetin elektrik. Aplikimet për këtë program janë mjaft të larta, ndërsa bashkia e Maliqit shpreson që vitin e ardhshëm të mund të përfitojë një fond edhe më të lartë për ti ardhur në ndihmë edhe më shumë familjeve në nevojë.
Punimet janë kryer falë një projekti të bashkisë së Maliqit i cili financohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në vlerën 32 milionë lekë.