Në rrugën Ersekë-Leskovik vijojnë me ritme të mira punimet për rikonstruksionin e saj. Ky projekt kushton rreth 6 milionë euro, financuar nga qeveria shqiptare dhe BERZH. Ndërhyrja në këtë aks synon të përmirësojë lidhjen mes zonave të rajonit dhe aksesin drejt potencialeve turistike të Kolonjës e Përmetit për ti dhënë një tjetër hov zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë.
Rruga është e gjatë 42.67 km, gjerësia e asfaltit ekzistues është rreth 4 m, ndërsa asfalti i ri do të jetë 5 m në të gjithë gjatësinë e rrugës. Projekti parashikon ndërtimin e shtresave të asfaltit të rrugës ekzistuese, ndërtimin e nënshtresave, aty ku ka dëmtime të mëdha, zgjidhjen e drenazhimit të rrugës, ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse, ndërtimin e tombinove dhe veprave të artit në rrugë dhe sinjalistikën vertikale dhe horizontale. Edhe për drejtuesit e mjeteve investimi është duke dhënë frytet e para, pasi që me shtresën e parë të asfaltit, ata mund të qarkullojnë më lehtë.
Burimet zyrtare bëjnë të ditur se po punohet që rikonstruksioni i rrugës të përfundojë plotësisht pranverën e vitit të ardhshëm.