I gjithë qarku i Korçës është përfshirë nga reshjet e dëborës të cilat kanë nisur prej mbrëmjes së djeshme dhe kanë vijuar edhe gjatë paradites së kësaj të marte. Rrugët nacionale të qarkut të Korçës janë të gjitha të kalueshme, ndërsa firmat kontraktore vijojnë punën pa ndërprerje në terren për të bërë pastrimin nga dëbora dhe kriposjen e rrugëve.
Nga ana e kontraktorëve janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës edhe në ditët në vijim.
Me probleme paraqitet aksi rrugor Shtyllë – Panairit në veçanti në majë të Mashkullorës aty ku për shkak të erërave të forta trashësia e dëborës ka shkuar deri në 50 cm. Mjetet borëpastruese janë në gatishmëri për të mbajtur të kalueshme këtë rrugë. Nga reshjet e dendura të dëborës ka probleme në qarkullimin e mjeteve në pjesën më të madhe të rrugëve rurale të zonave malore.