• Korça

Rendimenti i ulët i mollës, dyfishohet çmimi në tregun e shumicës

Këtë vit rendimenti i prodhimeve në frutikulturë në rajonin e Korçës ka qenë shumë i ulët në krahasim me një vit më parë. E gjithë kjo ka ardhur për shkak të kushteve të vështira atmosferike gjatë muajve qershor – korrik, si dhe në shtator. Në rrethana të tilla më shumë se 70% e prodhimit të qershisë, kumbullës dhe së fundi edhe e mollës është dëmtuar. Fermeri agropërpunues në Dvoran, Jorgo Braholli thotë se me një rendiment kaq të ulët të prodhimit të frutave do të ketë dyfishim të çmimeve të mollës në tregun e shumicës, rritje që do të reflektohet edhe në tregun e pakicës.

Krejt ndryshe nga shumë fermerë të tjerë Braholli prej dy vitesh siguron në një kompani sigurimesh pjesën më të madhe të sipërfaqeve të mbjella me frutikulturë, për të shmangur në maksimum humbjet nga kushtet atmosferike. Breshëri i disa ditëve më parë sipas burimeve zyrtare ka dëmtuar më tepër se 50% të prodhimit të mollës në Devoll, Korçë e Maliq. Fermerët që kanë humbur prodhimin kanë bërë me dije se në mungesë të të ardhurave ekonomike e kanë të pamundur të sigurojnë sipërfaqet e mbjella, ndaj edhe kanë kërkuar ndihmën e ministrisë së linjës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *