Edhe këtë vit regjistrimi në shkollat e arsimit bazë parauniversitar për klasat e para do të bëhet online. Regjistrimi i fëmijëve për vitin e ri shkollor 2023-2024 ka nisur më 17 qershor dhe do të mbyllet në fund të muajit. Ashtu si një vit më parë edhe këtë vit aplikimi do të zhvillohet nëpërmjet portalit E-Albania. Burime nga drejtoritë e shkollave bëjnë me dije se prej hapjes së procesit të rregjistrimit kanë nisur aplikimet. Si vitin e kaluar edhe këtë vit prindërve apo kujdestarëve ligjorë të fëmijëve nuk u lejohet të ndërhyjnë për të zgjedhur shkollën apo mësuesin e preferuar, por janë të detyruar të regjistrojnë fëmijën në institucionin shkollor që u nxjerr sistemi. Pra është sistemi ai që përcakton sipas adresës së banimit, institucionin arsimor ku do të regjistrohet fëmija.
Në këtë mënyrë prindi apo kujdestari ligjor nuk ka mundësinë e zgjedhjes së një shkolle preferenciale, jashtë zonës së banimit. Personat që ushtron përgjegjësinë prindërore do të kenë mundësi të regjistrojnë fëmijët e tyre për klasë të parë deri me 30 qershor, e më pas do jenë në pritje të përgjigjes nga institucioni arsimor, brenda 5 ditësh nga momenti i dërgimit të aplikimit. Risi këtë vit në regjistrime do të jetë ulja e moshës së pranimit të fëmijëve që do të mund të ndjekin klasën e parë. Konkretisht, referuar ndryshimeve të bëra në ligjin për arsimin parauniversitar, në vitin shkollor 2023-2024 në klasën e parë do të mund të regjistrohen edhe fëmijët të cilët moshën 6 vjeç do ta mbushin deri në datën 31 dhjetor të këtij viti. Ky rregull nuk është me detyrim. Do të jenë vetë prindërit ata që do të vendosin për dërgimin e fëmijës në klasë të parë edhe pa mbushur moshën 6 vjeç.