• Raportime

Reagimi i Niko Peleshit për Universitetin e Korçës

“Nisur nga disa procese të befta vendim-marrëse në strukturat e Universitetit “Fan Noli”, e vlerësoj të rëndësishme të ndaj publikisht disa mendime, me shpresën e ndikimit pozitiv, duke respektuar lirinë dhe autonominë e universitetit, por edhe ndjeshmërinë qytetare për këtë pasuri të përbashkët.

Universiteti “Fan Noli” është një vlerë e pacënueshme e Korçës dhe një pikë e fortë identitare e qytetarisë korçare.

Nga Mësonjëtorja e Parë Shqipe deri te Universiteti “Fan Noli”, është një rrugë e gjatë, plot sfida dhe përpjekje e të parëve tanë, që ia dolën të na lënë si trashëgimi këtë vatër shkencore, ku u formuan mijëra studentë në vite.

Sot ky universitet është përballë sfidave të tjera, jo të lehta për tu tejkaluar me sukses. Lëvizjet demografike drejt kryeqytetit, ku mundësitë e punësimit janë më të mëdha, apo interesi i ulët për disa profile, janë kërcënime të forta për të ardhmen e universitetit.

Kërkohen reforma dhe zgjidhje kreative të cilat mund të dalin vetëm nga një diskutim i hapur, i gjerë, i sinqertë dhe i guximshëm. Ky diskutim duhet të fillojë sot dhe duhet të përfshijë padyshim mendimet e çdo pedagogu dhe studenti, por edhe mendimin qytetar, para se të formalizohet në strukturat akademike dhe administrative të universitetit.

Unë nuk marr përsipër këtu të jap të gjitha zgjidhjet, por vetëm të përpiqem të sjell në një mendje të gjithë aktorët për parimin që duhet të udhëheqë diskutimin: UNIVERSITETI “FAN NOLI” DUHET TË JETË NJË INSTITUCION PRESTIGJOZ I ARSIMIT TË LARTË SHQIPTAR, PA E HUMBUR IDENTITETIN DHE EMRIN E NDERUAR QE MBAN. SFIDAT E SOTME DUHET TË NA NXITIN TË RISHPIKIM VETEN NË PERPUTHJE ME KOHËN, DUKE IDENTIFIKUAR AVANTAZHET KONKURUESE DHE MODELET MË TË MIRA BOTËRORE. FATALITETI DHE KAPITULLIMI NUK DUHET TË JENË KURRSESI NJË OPSION.

Sa realiste është të pretendosh që Korça, në kohën e sotme të lirisë së lëvizjes, të mbajë denjësisht një universitet publik, me kërkesa në rritje, jo në rënie, dhe me cilësi akademike të standardeve europiane?

Për të gjithë ata që e lexojnë këtë postim si një patetizëm apo aq më keq si një fjalim politikani, unë mund të sjell dhjetëra shembuj të qyteteve edhe më të vogla se Korça që kanë më shumë se një universitet dhe një popullsi studentësh më të madhe se popullsia e qytetit. Qytetet universitare nuk janë domosdoshmërisht qytetet e mëdha. Qyteti universitar është një qasje zhvillimi për të cilën Korça është terreni ideal i jetësimit.

Problematikat e sotme të universiteteve rajonale lidhen me forcat e tregut. Tregu më i madh ka forcë magnetike më të madhe. Por nuk duhet harruar që arsimi është një shërbim publik dhe si i tillë nuk mund të lihet në dorën e tregut. Njësoj si shërbimi shëndetësor. Mjekët mund të preferojnë Tiranën apo Gjermaninë, por në çdo rast shërbimi publik do të mundësohet, pavarësisht dështimit të tregut, me çdo kosto, siç po ndodh përmes bonusit për mjekët e spitaleve rajonale dhe politikave të tjera të qeverisë.

Një përpjekje e fortë për korrigjimin e “tregut” apo thënë ndryshe, e rënies së interesit për disa degë të qenësishme si agronomia apo shkencat ekzakte, është vendosja e pagesës prej 40 mijë lekë të reja për të gjithë studentët e këtyre degëve. Kjo politikë duhet promovuar për të maksimizuar rezultatin në rritjen e regjistrimeve në shtator.

Një mundësi tjetër për t’u bërë më tërheqëse universitetet tona është ndërkombëtarizimi. Diplomat dyfishe në partneritet me universitete të huaja, do t’u krijonin mundësinë studentëve të Korçës të studiojnë në Korçë dhe të përfitojnë njohuri më cilësore dhe diploma të njohura ndërkombëtarisht. Një fond i madh, më i madh se kërkesat e universiteteve, është vënë në dispozicion nga Ministria e Arsimit, për të mbështetur programet e ndërkombëtarizimit të universiteteve. Nga të gjitha kontaktet që kam bërë për këtë qëllim, kam kuptuar se interesi për bashkëpunim i disa universiteteve prestigjioze europiane është i madh, madje më duket më i madh se vullneti i universiteteve tona.Këto dhe shumë masa dhe reforma të tjera, kombinuar me një bashkëpunim më të ngushtë me bashkinë dhe planet ambicioze të zhvillimit dhe mbi të gjitha me një analizë më të mirë të nevojave të tregut të punës, mund ta çojnë Universitetin Fan Noli në një standard të ri. Për çdo situatë ka zgjidhje kreative.

Pakkush besonte se Korça mund të bëhej destinacioni kryesor i fundjavës, por ndodhi. Të njëjtën histori duhet ta përsërisim me universitetin publik, me akademinë e teknologjisë dhe programet e nxitjes së inovacionit. Faqet e historisë që po shkruhen tani duhet të jenë bujon që do të ushqejë frymëzimin dhe optimizmin për shumë vite, njësoj si na frymëzon sot vepra e patriotëve, humanistëve, filantropeve, intelektualëve dhe artistëve të Korçës së shekullit të kaluar. Ata kishin më pak mundësi se ne, por kishin shumë dashuri. Ne kemi shumë më shumë mundësi, por na duhet të ndezim edhe njëherë zjarrin e dëshirës për të dalë në krye, që Korça t’i lërë edhe njëherë pas shoqet, siç shkroi Naimi dikur e siç na ka hije.”, shkruan Niko Peleshi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *