• Korça

Punësimi i mjekëve të rinj/ 8 mjekë të rinj specialistë i bashkohen stafit të Spitalit Rajonal në Korçë

Sara Grazhdani është një ndër mjekët e rinj specialistë të cilët i janë bashkuar stafit të Spitalit Rajonal të Korçës. Sara është mjeke hematologe, e cila prej një muaji është duke ofruar shërbimin shëndetësor për qytetarët. Ajo shprehet se në Korçë ka gjetur një staf dhe një komunitet mikpritës. Pavarësisht mundësive të shumta për t’u larguar jashtë vendit, Sara vendosi të jepte kontributin e saj në Shqipëri, duke përcjellë kështu dhe një mesazh për të gjithë mjekët e rinj.

8 mjekë të rinj specialistë i janë bashkuar stafit të Spitalit Rajonal të Korçës. Bëhet fjalë për 2 reanimatorë, 2 kardiologë, 1 ortoped, 1 hematologe, 1 pediatre dhe 1 mjek urgjence. Sipas drejtorit të këtij spitali Litian Broka, me emërimet e reja plotësohet organika e stafit prej 78 mjekësh specialistë, që shërbejnë pranë këtij spitali, duke garantuar shërbim të specializuar për qytetarët.

Në total në të gjithë vendin 60 mjekë të rinj specialistë, në specialitete si, kirurgë, pediatër, anestezistë, neurologë, kardiologë e specialitete të tjera, me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë, i janë bashkuar ekipeve të spitaleve rajonale e bashkiake, duke plotësuar nevojat për shërbim të specializuar për qytetarët afër vendbanimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *