Për katër ish-shtetasit e marrë të pandehur për publikimin e pagave dhe të dhënave sensitive të qytetarëve shqiptarë është dhënë vendimi nga Gjykata e Tiranës. Ata u dënuan të gjithë me shërbim prove.
Eni Qirjako dhe Andi Agraj, ish- punonjës të IT-së u dënuan përkatësisht 32 muaj dhe 4 vite shërbim prove.
Gjithashtu me 32 muaj shërbim prove u dënuan edhe përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi. të cilët blenë të dhënat e qytetarëve.
Bëhet fjalë për dy ish-zyrtarë të AKSH-it dhe për dy zyrtarë të tjerë të një zyrë përmbarimore.
Në vitin 2021, ata i blenë të dhënat nga zyrtarët e AKSH-it. Fillimisht, ata i përdorën për interesat e tyre sa i takon zyrës përmbarimore, por më pas këto të dhëna u bënë publike. Të dhënat u publikuan në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 mijë shqiptarëve, numra celulari të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530 mijë qytetarëve .
Sipas dosjes hetimore databaza e pagave të 690 mijë shqiptarëve u shit kundrejt një shpërblimi prej 20 mijë -30 mijë lekëve. Të dhënat kaluan nga database e “Sistemit Cats” të drejtorisë së Tatimeve Tiranë përmes specialistes së IT, Eni Qirjako dhe kolegut të saj Andi Agaraj.
Specialistja Eni Qirjako e punësuar pranë AKSHI-t ka marrë listën e pagave dhe ia ka kaluar kolegut të saj Andi Agaraj i cili më pas e ka shitur atë te përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, kundrejt pagesës prej 20-30 mijë lekësh. Këto të dhëna u bënë edhe pjesë të debateve politike në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021.
Opozita asokohe akuzonte mazhorancën se nëpërmjet praktikës së patronazhistit përdori këto të dhëna.
Pak para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 u publikuan të dhënat personale të mbi 910 mijë votuesve në vend pjesë e databaze të “patronazhistëve”.
Gazetar: Kreshnik Mersinllari
/rtsh/