• Korça

Programi Kombëtar i Kërkimit dhe Zhvillimit. Prezantohen projektet fituese nga Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

Universiteti “Fan Stiljan Noli” në Korçë, ka organizuar këtë të premte një takim prezantues të projekteve fituese në thirrjet për aplikim shpallur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, për vitin 2023. Për këtë vit universiteti i Korçës ka fituar 7 projekte, në drejtimet: projekte të kërkimit dhe zhvillimit, projekte në bashkëpunim me biznesin dhe projekte bilaterale midis Shqipërisë dhe Italisë. E pranishme në këtë takim ka qënë edhe drejtoresha e përgjithshme e AKKSHI-t, Mirela Muça, e cila vuri theksin tek rritja e fondeve për kërkimin shkencor.

Një rëndësi e veçantë sipas drejtores Muça i është vënë bashkëfinancimit dhe universiteti i Korçës sipas saj ka një kontribit domethënës në projektet e kërkimit shkencor.

Zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet në universitetin e Korçës, Benita Stavre, theksoi se projektet fituese kanë ardhur si propozime të njësive të ndryshme në këtë institucion të arsimit të lartë, duke përfshirë pothuajse të gjithë fakultetet.

Universiteti “Fan Stiljan Noli” në Korçë, përgjatë këtyre viteve ka fituar gjithsej 9 projekte, 7 të fituara këtë vit, duke përfituar mbi 20.5 milion lekë, të cilave iu shtohet edhe kontributi modest i 685 mijë lekëve bashkëfinancim nga universiteti dhe mbi 970 mijë lekë nga biznesi në rajon.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *