Qeveria shqiptare përmes një vkm-je ka hequr mesataren 8,5 si kusht për përfitimin e pagesës sa paga minimale në muaj për studentët që do të zgjedhin programet e studimit të konsideruara si prioritare. Por studentët duhet tashmë që të plotësojnë kriteret e mesatares që ka programi i studimit ku ata do të rregjistrohen. Në universitetin Fan Noli të Korçës prioritare janë të gjitha programet e fakultetit të bujqësisë, si dhe programet gjuhë shqipe e letërsi, matematikë fizikë, kimi biologji, menaxhim në turizëm e mikpritje. Me vendimin e një dite më parë listës së programeve prioritare i është shtuar edhe cikli i ulët dhe parashkollori.
Pas përfundimit të studimeve në degët prioritare dhe përfitimit të mbështetjes financiare prej 40 mijë lekësh më muaj studenti ka detyrimin të japë kontribut për vendin duke punuar minimumi për tre vite në Shqipëri. Ministrja e Arsimit tha se do të ketë një ndarje të kuotave për çdo universitet lidhur me programet prioritare, ndërsa sipas saj përfitues të këtyre kuotave do të jenë kryesisht universitetet jashtë Tiranës.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi i ka ftuar maturantët që të bëhen pjesë e programeve prioritare në të cilat do të kenë mundësi edhe të përfitimit të një pagesë prej 40 mijë lekësh në muaj për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve.