• Korça

Profesionistët e lirë, deklarim dhe pagesa mbi të ardhurat personale

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të gjithë personat që klasifikohen si profesione të lira se do të duhet të fillojnë të bëjnë deklarimet mujore si të listëpagesave, ashtu dhe të tatimit mbi të ardhurat personale. Ndryshimi vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat. Ky ligj i futi profesionet e lira, në skemën sipas së cilës do të duhet të paguajnë nga 1 janari nga 15-23% tatim mbi fitimet e njohura. Ndërsa më parë, profesionistët e lirë, që ishin regjistruar si biznes i vogël i bënin deklarimet e listëpagesës një herë në tre muaj, tashmë ata duhet ta bëjnë deklarimin çdo muaj. I njëjti afat, çdo muaj vlen dhe për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Afati për dorëzimin e listëpagesës dhe kryerjes së pagesës është data 20 e muajit vijues. Deklarimi i parë është listë-pagesa e muajit janar, me afat deri në shkurt 2024. Tatimet paralajmërojnë se nëse nuk respektohen këto afate ligjore, kjo do të përbëjë shkelje tatimore dhe do të dënohen me masë administrative. Ligji prek 29 mijë profesionistë të lirë në të gjithë vendin. Në listën e profesioneve të lira u përfshinë aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimi, mjekët, agjentët e pasurive të paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit, operatorët turistikë etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *