• Korça

Prodhimi i qershive/ Breshëri dëmton 40% të pemtoreve me këtë frut në Pogradec

Rreth 40% e pemtoreve me qershi në 3 fshatra të Pogradecit, janë dëmtuar nga breshëri i së shtunës. Vasfi Dulellari specialist i ekstensionit në këtë bashki bën me dije se breshëri ka dëmtuar pjesën e kurorës së pemëve në fshatrat Peshkëpi, Alarup dhe Stropckë. Ndërsa në zonat e tjera poteciale për prodhimin e qershisë në Çërravë, Proptisht, Buçimas, Velçan, Dardhas, Trebinjë dhe Hudënisht, këtë vit ka një prodhim të mbarë të këtij fruti. Prej disa ditësh, fermerët kanë nisur vjeljen e qershisë dhe shitjen e saj. Një situatë pozitive paraqitet dhe në fshatin Dvoran të bashkisë Korçë, e cila njihet për prodhimin e qershisë. Fermerët janë të kënaqur me prodhimin e këtij viti, i cili është cilësor dhe pa dëmtime ndërsa shprehen se dhe çmimi i tregtimit është mëse i kënaqshëm.

Burime pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Korçë bëjnë me dije se Sipas statistikave të vitit të kaluar, sipërfaqet e mbjella me qershi në Qarkun Korçë ishin rreth 513 HA, ndërsa prodhimi shkoi deri në 5460 ton qershi. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *