• Korça

Pranverë më Borë/ “Zbardhet” Dardha, reshje bore në lartësitë mbi 1000 m

Pranvera rikthen reshjet e borës në juglindje të vendit. Prej mbrëmjes të së hënës reshje në formë bore ka pasur në lartësitë mbi 1000m. ARRSH bën me dije se nuk ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve por këshillohet përdorimi i gomave dimërore për lëvizjen në zonat malore.

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të juglindjes së vendit. Më të dendura reshjet kanë qënë në aksin rrugor Boboshticë – Dardhë ku trashësia e dëborës ka shkuar nga 5-10 cm. Dëborë ka pasur edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm ashtu siç ka patur reshje edhe në aksin rrugor Vithkuq – Shtyllë. Gjithashtu mëngjesin e sotëm dëborë ka patur edhe në fshatrat e njësisë administrative Voskopojë e Lekas.

Burime zyrtare bëjnë me dije se qarkullimi i mjeteve është pa probleme ndërkohë që autoritetet këshillojnë drejtuesit e mjeteve që përdorin aksin rrugor të Dardhës, Vithkuqit e Voskopojës të jenë të pajisur me goma dimërore. Nga sa raportohet rreshjet në formë shiu pritet që të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme, ndaj edhe për këtë, punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar do të jenë të angazhuar në terren për të monitoruar situatën nëse do të paraqiten probleme në akset nacionale si pasojë e rënies së gurëve apo inerteve në rrugë.

Burime zyrtare pranë OSSHE thanë se pa energji elektrike janë fshatrat e Buzaishtës dhe Homazh të njësisë administrative Velcan ashtu siç ka mungesë të energjisë elektrike në Shtyllë të Korçës. Grupet e OSSHE po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në këto fshatra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *