Studiuesi dhe përkthyesi i gjuhës frënge, profesor Ilia Lëngu ka prezantuar në Korçë, disa prej veprave të filozofit dhe soiologut francez Edgar Morin. Ky aktivitet vjen në kuadër të Pranverës Frankofone dhe aktiviteteve që shoqërojnë atë, të zhvilluara nga Aleanca Franceze në Korçë, ndaj dhe profesor Lëngu, i cili mban gradën “Doktor i Shkencave”, përzgjodhi për të prezantuar veprat e Morin, për vetë faktin se në to, filozofi ilustron më së miri vlerat e frankofonisë ndërsa shton se Morin, njihet si filozofi i mendimit kompleks. Krijimtaria e tij duhet të njihet edhe më tepër shpjegon Lëngu, ndaj dhe vendosi të ndajë me të pranishmit në aktivitet, edhe disa prej botimeve të fundit, që vijnë të përkthyera prej tij.
Profesor Ilia Lëngu është autor i disa librave me studime letrare si dhe disa teksteve universitare. Ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra të rëndësishme nga letërsia franceze si vepra të Floberit, Aragonit, Kamysë, etj. Ndërsa prezantimi i veprave të Morin erdhi në kuadër të pranverës frankofone, si një mundësi për të zbuluar, ushtruar dhe eksperimentuar, format më të larmishme të shprehjes së gjuhës frënge.