Duke marrë parasysh se përgjatë sezonit veror, në drejtim të vendit tonë ka dyndje të pushuesve nga e gjithë bota, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar me masa shtesë, me qëllim krijimin dhe garantimin e kushteve sa më të mira të sigurisë, për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, në zonat turistike, për të gjithë periudhën e sezonit turistik veror, në pikat e kalimit kufitar dhe në akset kryesore rrugore, për qarkullimin sa më normal të automjeteve, për parandalimin e kriminalitetit në qendrat e banuara, për zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës, si dhe për menaxhimin e zhurmave në qendrat urbane dhe në zonat turistike. Për garantimin e rendit e sigurisë në zona malore, janë planifikuar shërbime shtesë të Policisë, në zonat turistike: Voskopojë dhe Dardhë. Referuar eksperiencës së viteve të kaluara, gjatë këtij sezoni turistik janë planifikuar në zonat e plazheve, punonjës policie me uniformë verore dhe me biçikleta, të cilët do të patrullojnë në këto zona për parandalimin e krimit, forcimin e policimit komunitar, për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve në nevojë, si dhe për mbikëqyrjen e vijës liqenore. Aktualisht, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ai i policisë vendore, vijojnë kontrollet për mjetet lundruese, kryesisht argëtuese dhe ato që përdoren për turizëm ditor, varka artizanale në lumenj dhe liqene, për pajisjen me dokumentacion, si dhe për përmbushjen e kushteve teknike, me qëllim sigurinë e jetës së qytetarëve që i përdorin këto mjete lundruese.
Masa shtesë janë parashikuar edhe në drejtim të planifikimit të burimeve njerëzore shtesë në pikat e kalimit kufitar, me qëllim rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër, parandalimin e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, parandalimin e krimeve kufitare, si dhe forcimin e kontrollit në kufirin blu. Gjithashtu, ka filluar kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe të festave zyrtare. Drejtoria vendore e Policisë ka filluar zbatimin e detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve, që prej datës 15 qershor dhe ky kufizim do të vijojë deri më 15 shtator 2023. Në lidhje me monitorimin për parandalimin e ndotjes akustike dhe parandalimin e gjenerimit të zhurmave tej normave të lejuara, nga subjekte të ndryshme, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash të veçantë, i cili është i integruar në planin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për masat shtesë në kuadër të sezonit veror. Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00-24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00-23:30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr. 8, të datës 27.11.2007. Në këtë kuadër Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.