Derbi i juglindjes mes Pogradecit dhe Maliqit është fituar minimalisht 1-0 nga liqenorët. Goli i fitores mban firmën e Paulo Ivanit dhe erdhi vetëm një minutë para fundit të sfidës, pas një morie rastesh të shpërdoruara nga ana e ekipit pogradecar.
Gjithsesi, në fund rëndësi kanë tri pikët dhe pas tri javësh kampionat, skuadra e drejtuar nga Samuel Nikaj e shikon veten në vendin e parë të Grupit B me 9 pikë të plota. Të dyja skuadrat kanë luajtur me personalitet në fushë dhe është zhvilluar një 90 minutësh me ritëm të lartë.
Maliqi u perpoq deri në fund të dilte nga kjo përballje të paktën me 1 pikë, por nuk ia doli. Pikërisht kur ndeshja po shkonte drejt një barazimi pa gola në skenë del Paulo Ivani, i cili në minutën e 89-të, pas një krosimi në zonë, godet me kokë dhe kalon në avantazh Pogradecin, duke ngritur peshë tifozët e prnaishëm.
Në ato pak minuta të mbetura ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet 1-0. Kështu Pogradeci vijon kryesimin i vetëm në tabelën e klasifikimit me 9 pikë duke u ndjekur nga Luftëtari dhe Butrinti, që kanë nga dy pikë më pak.
Devolli nuk ka shkuar dot më shume se në një barazim ndaj AF Luftëtarit. Skuadrat kanë barazuar 2-2 dhe kanë ndarë pikët në ndeshjen e së dielës, e cila u zhvillua në një atmosferë të bukur në stadiumin e Bilishtit.
Topin e parë nga mesi i fushës e shkelmoi në shenjë simbolike ish-futbollisti Renato Lanka. Devolli i bëri një nisje fantastike lojës, pasi kaloi në avantazh që në minutën e 5-të, kur pas një goditje nga këndi, është Ndoci që shënon me kokë nga afër portës. Në minutën e 12-të, Devolli fitoi një penallti të kontestuar gjatë nga miqtë, duke dyfishuar shifrat me Godbein.
Nga ana tjetër Luftëtari nuk u dorëzohet, por mbledh forcat dhe hidhet në sulm. Ziaji fiton një penallti në minutën e 38-të, por Mirani shpërdoron, duke goditur jashtë. I njëjti lojtar, korrigjon gabimin katër minuta më pas, duke shënuar një gol të bukur me kokë dhe duke rihapur takimin. Në pjesën e dytë bluzinjtë e Edmond Dalipit bëhen zotë të fushës, por shpërdorojnë shumë raste për shënim.
Megjithatë, kur po luhej minuta e 90-të, një supergol i mesfushorit Astrit Rama me goditje nga jashtë zone, vulosi barazimin 2-2. Edhe në minutat shtesë miqtë kërkuan përmbysjen, por nuk ia dolën dot. Kështu në dy ndeshje të luajtura, Devolli e sheh vetën në vendin e 6 në tabelën e klasifikimit me 4 pikë të grumbulluara.