Qytetarët pogradecarë janë duke dhuruar libra me autorë shqiptarë të cilat do të shkojnë për bibliotekën në komunën Bujanoc në luginën e Preshëvës. Një nismë e tillë është ndërmarrë nga bashkia pas takimit të kryer me përfaqësues të komunës së Bujanocit të cilët ndër të tjera bënë të ditur se kanë mungesa të librave me autorë shqiptarë.
Nënkryetarja e bashkisë Pogradec Entela Gusho thotë se një nismë e tillë ka pasur mjaft impakt pasi kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët kanë dhuruar libra për bibliotekën e Bujanocit. Sipas saj edhe shumë të rinj janë angazhuar në këtë nismë të cilët kanë mjaft dëshirë të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre në luginën e Preshevës.
Nisma të tilla kryhen herë pas here jo vetëm në bashkinë e Pogradecit por edhe në bashkitë e tjera të qarkut, të cilat sipas mundësive apo rrethanave mundohen të ndihmojnë shtresa të caktuara të popullsisë të cilat mund të jenë brenda apo jashtë vendit. Ndërsa të tjera raste janë edhe organizimet e qytetarëve të ndryshëm apo të shoqatave e donatorëve të cilët vijnë në ndihmë të të varfërve, të sëmurëve apo edhe qytetarëve me probleme të ndryshme.
Një traditë e tillë e donacioneve apo ndihmave për ata që kanë nevojë është e hershme në qarkun e Korçës duke nisur që me filantropët e mëdhenj korçarë të cilët kanë kryer dhurime mjaft të mëdha e të rëndësishme për qytetin dhe jo vetëm.