Fshati Pocestë në bashkinë e Maliqit vuan prej kohësh mungesën e ujit të pijshëm. Më e vështirë situata paraqitet tani në periudhën e verës kur për shkak të mungesës së rreshjeve shterojnë burimet nga ku banorët sigurojnë ujin. Në këtë situatë ata janë të detyruar të mbushin ujë në vende të tjera apo të blejnë ujin për të pirë. Madje banorët tregojnë se edhe ai ujë që vjen pak minuta në ditë nuk është i pijshëm pasi ka aromë të keqe.
Për ti dhënë fund njëherë e mirë problematikës së ujit të pijshëm në fshatin Pocestë ka nisur tashmë ndërhyrja nga ana e shoqërisë Ujësjellës kanalizime Korçë sh.a. e cila në bashkëpunim me bashkinë e Maliqit është duke ndërtuar një linjë të re ujësjellësi për fshatin. Aktualisht është duke u hapur kanali ku do të shtrihet tubacioni i ri për të siguruar ujin e pijshëm i cili do të merret nga Bulgareci.
Bashkia e Maliqit bën të ditur se shumë shpejt do të ketë ndërhyrje të tjera në ujësjellësat problematikë në gjithë fshatrat e kësaj bashkie.