Në Doganën e Qafë Thanës, një nga pikat kryesore hyrëse të fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, po bëhen përgatitjet e fundit para nisjes së sezonit turistik. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga pika kufitare e “Qafë Thanës” e cila lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut. Rama shprehet se kjo pikë kufitare po përgatitet për të pritur fluksin e shtuar të vizitorëve që do kalojnë kufirin në nisje të sezonit të ri turistik.
“Në Doganën e Qafë Thanës, pika kryesore hyrëse e fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, po bëhen përgatitjet e fundit para nisjes së sezonit turistik dhe janë marrë të gjitha masat për të pasur një ambient sa më mikpritës”, është shprehur kryeministri.
Prej gati një viti në këtë doganë po zbatohet programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, nëpërmjet të cilit ofrimi i shërbimit për qytetarët dhe bizneset kryhet në të njëjtin sportel ku shërbejnë administratat e të dyja vendeve për kontrollin kufitar, doganor dhe të kontrollit ushqimor. Një gjë e tillë ka sjellë thjeshtimin e procedurave të kontrollit, përgjysmimin e kohës dhe rritjen e transparencës së administratave përkatëse.