Themistokli Gërmenji njihet si veprimtari i lëvizjes kombëtare e demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë. Në 1892 ai mërgoi në vende të ndryshme ku u përfshi në veprimtari të ndryshme. Në vitet 1916-1917 u kthye në Shqipëri ku luajti rol të rëndësishëm për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916 me të cilin u shpall krahina autonome e Korçës. Në përkujtim të veprës së tij patriotike, koleksionisti korçar Mirgen Shamblli çeli një ekspozitë me materiale kushtuar Gërmenjit.
Fitoret e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e bënë atë objekt goditjesh nga politikanë të huaj që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë. Ata trilluan ngjarje të rreme për veprimtarinë e tij si agjent i austro-hungarezëve, në bazë të të cilave u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua.