Në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, 10 Korriku i vitit 1943, data e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, mbetet një ngjarje madhore për shndërrimin e ushtrisë partizane vullnetare në ushtri të rregullt me një drejtim operativo-strategjik unik nga një shtab qendror. Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, duke studiuar e ndjekur situatën e krijuar në LANÇ, thirri në Labinot të Elbasanit, mbledhjen e tij për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, për organizimin dhe drejtimin e njësiteve e reparteve partizane vullnetare. Sot në 80 vjetorin e kësaj date të rëndësishme është organizuar një takim i ushtarakëve në pension e rezerve, veteranëve pasardhësve të tyre e familjeve të dëshmorëve. Maksim Fejzulla kryetar i shoqatës vullnetare të ushtarakëve në rezervë dega Korçë ka mbajtur fjalën e rastit duke theksuar rëndësinë e krijimit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.
Në këtë aktivitet përkujtimor ka marrë pjesë edhe prefekti Nertil Jole i cili theksoi rëndësinë e përçimit në breza të historisë së luftës.
Të ftuar kanë qenë edhe kryetari i Komitetit të veteranëve Tomor Asabella dhe zëvendës presidentja e shoqatës kombëtare të ushtarakëve Liljana Konomi.
Shoqata Vullnetare e Ushtarakëve në Rezervë ka shpërndarë edhe disa certifikata për anëtarë të spikatur të saj.