Përfundon pritja e më shumë se 100 mësuesve në qytetin e Korçës dhe shumë të tjerëve në Maliq të cilët nuk kishin marrë pagën për muajin qershor. një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga kryetari i sindikatës së mësuesve për Korçën, Leonard Trebicka i cili tha se ditën e sotme sipas informacioneve të siguruara nga vetë mësuesit, ata kanë pasur pagat e muajit qershor në llogaritë e tyre bankare.
Kanë qenë kryesisht mësues të shkollave nëntëvjeçare të cilët kanë qenë të detyruar të presin më shumë se një javë për të marrë pagën e muajit qershor, pasi buxheti i caktuar për pagat nuk ishte hedhur i plotë nga dega e thesarit. Ka pasur edhe të tjera raste kur mësuesit por edhe të tjerë punonjës të administratës publike i kanë marrë pagat me vonesë për shkak të problemeve në degën e thesarit.