Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama kanë bërë me dije se BB do të financojë 900 milionë euro për disa projekte në Shqipëri, trazhi i parë i së cilës do të jetë 360 milionë euro. Ky projekt do të fokusohet në trajtimin e urave në rrezik nga goditjet natyrore; rritjen e rezistencës fiskale të Shqipërisë dhe mbështetjen e rritjes së gjelbër të ekonomisë; rritjen e rezistencës së bujqësisë ndaj ndryshimit klimaterik dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit; arsimin elektronik dhe ofrimin e aftësive dixhitale për fëmijët në nivel shkollor.
“Kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë 900 mln euro, trazhi i parë i projekteve 360 mln euro. Presim një tjetër projekt që të miratohet së shpejti për 60 mln euro.
Kemi punuar për një projekt që do të trajtojë urat në rrezik nga goditjet natyrore.
Është program i fortë dhe mjaft i madh. Të nisim shumë shpejt me të. Janë një sërë urash të identifikuara, duke nisur qysh prej fillimit. Me Ministrinë e Financave kemi punuar për rritjen e rezistencës fiskale të Shqipërisë dhe për mbështetjen e rritjes së gjelbër të ekonomisë në të ardhmen përmes një pakete të konsiderueshme veprimesh dhe reformash.
Së bashku me Ministrinë e Bujqësisë do punojmë për rritjen e rezistencës së bujqësisë ndaj ndryshimit klimaterik dhe përmirësimin e konkurrueshmërinë e sektorit, për të rritur vëllimin dhe cilësinë e eksporteve drejt BE-së dhe tregjeve të tjera.
Së bashku me zyrën e kryeministrit dhe AKSHIN kemi përpiluar një projekt që sheh për nga axhenda dixhitale e brezit të ardhshëm që përfshin jo vetëm arsimin elektronik por dhe ofrimin e aftësive dixhitale për fëmijët në nivel shkollor. Ky është trazhi i parë”, tha Salinas.
Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri bëri me dije ndër të tjera se një tjetër aspekt ku do të fokusohet projekti, do të jetë dhe Lumi i Vjosës.
Salinas theksoi se është inkurajues vendimi për shpalljen e Lumit të Mbrojtës, zonë e mbrojtur, teksa shtoi se së bashku me ministritë përkatëse në vendin tonë, do të punojnë për marrjen e masave për t’u siguruar që lumi të mbetet i egër dhe i pastër.
“Por kemi dhe një tjetër që do vijë me shpejtësi dhe do përqendrohen te Lumi i Vjosës. Është shumë inkurajuese që ai u përcaktua si një zonë e mbrojtur dhe do punojmë së bashku për marrjen e masave për tu siguruar që lumi të mbetet i egër dhe i pastër. Ky është grupi i parë i projekteve.
Mendojmë se kufiri është veç qielli këtu në Shqipëri. Niveli i bashkëpunimit këtu është krejt i pashembullt me vendet e tjera ku operon banka.
Angazhimi ndaj jush është për ti realizuar të gjitha këto në mënyrë të shpejtë dhe efikase”, tha ai, teksa shtoi se “Presim që ju të na mbani përgjegjës për realizimin dhe dhënien e burimeve të premtuara”.