Reshjet e ditëve të fundit, të rëna me intensitet të lartë bënë që përroi i Vinçanit të rrezikonte daljen nga shtrati duke u kthyer në një rrezik për përmbytjen e tokave bujqësore. Kjo është një situatë e përsëritur edhe në vitet e kaluara, kur ky përrua ka përmbytur edhe shtëpitë përreth ndërsa ka dëmtuar edhe të mbjellat. Për të shmangur këtë rrezik dhe përsëritjen e situatave të tilla, bashkia Korçë ka marrë masa në kohën e duhur duke ndërhyrë për pastrimin e përroit ndërsa banorët shprehen falenderues për këtë shërbim të bërë në dobi të tyre.
Burime pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike bëjnë me dije se gjatë këtij viti janë kryer një sërë ndërhyrjesh për pastrimin e kanaleve kullues dhe vaditës në mënyrë që t’u lehtësohet puna fermerëve. Në total janë pastruar 32 km kanale kullues dhe 131 vaditës ndërsa përgjatë tokave bujqësore janë vendosur edhe 425 tombino të cilat shërbejnë edhe si ura lidhëse që fermerët ta kenë më të lehtë aksesin drejt tokave bujqësore si dhe transportin e prodhimeve të tyre.