SPAK ka kërkuar dënimin me 13 vite burg Artur Ballën dhe 12 vite burg për Bledar Lilon, pasi organizuan skenën komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, me qëllim “pastrimin” e një shume monetare prej 18. 4 milionë eurove.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Artur Balla është dënuar me 8 vite e 8 muaj burgim, ndërsa Bledar Bilo është dënuar me 8 vite burg për shkak të uljes së 1/3 së dënimit. Po ashtu, SPAK ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit, të shumës prej 18.4 milionë eurove, të sekuestruara më herët nga Prokuroria e Posaçme.
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.
Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme. Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen proçedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skemë komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
/rtsh.al/