Reshjet e shiut të shoqëruara me stuhi ere dhe breshër, kanë sjellë problematika në disa prej rrugëve kryesore në qytetin e Pogradecit. Si shkak i bllokimit të pusetave nga prurjet e shumta, uji ka vërshuar në rrugë. E njejta problematikë është paraqitur edhe në fshatin Memëlisht ku uji ka vërshuar në rrugë ndërkohë burime pranë bashkisë Pogradec bëjnë të ditur se emergjencat civile kanë arritur të ndërhyjnë në kohë dhe janë duke punuar për pastrimin e mbetjeve dhe zhbllokimin e pusetave.
Nga raportimet e deritanishme nuk ka informacion për përmbytje të tokave bujqësore apo banesave në këtë bashki. Punonjësit dhe të gjitha mjetet janë në gatishmëri të plotë për çdo situatë të mundshme që mund të paraqitet. Ndërkohë stuhia e ditës së sotme ka sjellë edhe rrëzimin e një prej pemëve shumëvjeçare në shëtitoren e këtij qyteti duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve. Në kushte atmosferike të tilla, ka pasur edhe raste të tjera të rrëzimit të pemëve të së njejtës moshë, ndaj dhe për këtë, ndërmarrja e gjelbërimit ka planifikuar prerjen e pemëve me moshë të madhe që përbëjnë rrezik dhe zëvendësimin e tyre me pemë të tjera decorative.