• Korça

Pasioni për bletarinë, Emin Demko, bletërritësi më i vjetër i Panaritit

Emin Demko është një nga banorët autoktonë të fshatit të largët Panarit në Korçë. Ndryshe nga shumë të tjerë të cilët janë larguar për shkak të vështirësive të shumta dhe mungesës së shërbimeve, ai ka zgjedhur të jetojë e punojë në vendlindjen e tij. Prej vitit 1987, 64 vjeçari merret me bletet duke arritur që sot të jetë më i vjetri në fshat me këtë profesion, por edhe më i njohuri në të gjithë zonën. Ai sot kujdeset për rreth 150 koshere bletësh, nga të cilat arrin të marrë një prodhim prej 15 – 17 kg për bletë. Vështirësitë më të mëdha për Demkon vijnë në momentin që i duhet të marrë mjekime për bletën, të cilat sipas tij nuk japin efektin e duhur duke e dëmtuar bletën në shumë raste. Në këto kushte ai ka edhe një thirrje për shtetin.

Pavarësisht kushteve klimaterike të vështira të këtij viti, bletërritësi nga Panariti tregon se prodhimi ka qenë i kënaqshëm. Sa i përket shitjeve, ai tregon se tregtarët nuk shkojnë në Panarit, megjithëse pjesa më e madhe e rrugës tashmë është e asfaltuar dhe e përshtatshme edhe për mjetet e vogla.

Fshati Panarit është një nga zonat e thella të bashkisë së Korçës, i ndodhur 50 km larg qytetit të Korçës, ndërsa në dimër për disa muaj izolohet nga bora. Për këtë arsye bletërritësi Demko thotë se sëbashku me masat e tjera që i duhet të marrë për familjen, ai duhet të kryejë edhe përgatitjet e duhura për dimërimin e bletës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *