• Lajme kombëtare

Partizani shpallet kampion i Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023

Partizani është shpallur kampion për herë të 17 në historinë e vet. Të kuqtë kanë mundur me shifrat 2-0 ekipin e Teutës dhe kanë siguruar trofeun e radhës duke mbyllur këtë kampionat në vendin e parë, falë rezultateve në sfidat direkte me Tiranën.

Të kuqtë kanë dominuar plotësisht ndeshjen vendimtare, duke kërkuar me ngulm një gol që e gjetën vetëm në fundin e pjesës së parë me Rrapajn, pas disa tentativave të ndalura nga Qirko.

Në pjesën e dytë kishte pak futboll dhe shumë vonesa loje, që bënë që të mos kishte as momente të rëndësishme para portave deri në fund të sfidës. Në shtesë ishte Cara i cili shënoi golin e 2-0, ndërsa më pas Kallaku humbi penalltinë në anën tjetër.

Kështu, sfida u mbyll me shifrat 2-0 dhe i dha trofeun e radhës Partizanit, ndërsa pa Teutën t’i jepte lamtumirën ëndrrave për të luajtur në Europë.

Gjendja e pikëve:

Ajo që kërkonte të shmangte Tirana në këtë fundsezoni ishte pikërisht barazimi i pikëve me Partizanin, sepse kështu do të digjej në luftën për titullin nëse skuadrat e mbyllnin kampionatin në të njëjtën kuotë.

Dhe kështu ndodhi, 67 pikë secila dhe “demat” janë kampionët e Superiores e për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet direkte ndaj Tiranës këtë kampionat.

Duke u bazuar te rregullorja e klasifikimit dhe pikërisht te kriteri i parë i saj, ku merren parasysh ndeshjet direkte, të kuqtë kanë fituar 2 herë (0-1 dhe 2- 0), ndërsa Tirana vetëm 1 herë (0-2). Derbi i fundit mes tyre është mbyllur në barazim. Ky avantazh në ndeshjet direkte i jep titullin Partizanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *