Rihapet qendra e informacionit për turistët në hyrje të Parkut Kombëtar Prespë në fshatin Lajthizë të bashkisë së Pustecit. Turistët do të kenë mundësi të marrin informacion për pikat turistike natyrore dhe kulturore të vizitueshme në Park, teknikat tradicionale arkitektonike të banesave të zonës, si dhe teknikat tradicionale arkitektonike të peizazhit.
Çelja e dyerve të kësaj qendre u bë e mundur falë bashkëpunimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Projektit “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë” i financuar nga KFW dhe organizatës “Vullnetarët Europianë të Trashëgimisë Kulturore”.
Parku Kombëtar i Prespës përveç vlerave natyrore dhe peisazhit unik për shkak së është një park i banuar ka edhe një trashëgimi të pasur kulturore dhe ndërtimore të realizuar me shumë mjeshtëri dhe me materiale organike që gjenden në zonën e Prespës, vlera të cilat janë ekspozuar për turistët dhe vizitorët në qendrën e informacionit e rihapur pas shumë kohësh.