Artizanati dhe tradita e punimit të enëve prej balte janë bërë pjesë e një panairi në qytetin e Korçës. Përtej simbolikës dhe nxitjes së artizanatit me prezantimin e objekteve të ndryshme, ky panair përkon me festën e Pashkës ortodokse, që festohet masivisht në këtë qytet. Panairi i përvitshëm ka shitjet më të shumta ditën e enjte dhe të premten kur besimtarët marrin qirinjtë e pashkës dhe objekte të punuara në baltë, si pjesë e traditës fetare. Në sheshin para katedrales ku është vendosur ky panair, gjenden tendat dhe këndet e posaçme të zbukuruara me rastin e festës. Vetë qytetarët thonë se tradita e blerjes së baltës është e hershme, duke simbolizuar varrosjen e Krishtit, ndërsa një ditë më parrë thonë se kanë blerë edhe qrinjtë e Pashkës si dhe kanë lyer vezët me bojë të kuqe e cila simbolizon gjakun e Krishtit.
Aktiviteti organizohet çdo vit për Pashkët ortodokse dhe ka një kuptim simbolik për besimtarët, të cilët sipas zakonit fetar duhet të marrin enë të punuara në baltë për t‘i vendosur në shtëpitë e tyre. Por nga ana tjetër, nëpërmjet ekspozimit të këtyre objekteve, stimulohet më tej artizanati, ku krahas tregtarëve marrin pjesë skulptorë dhe njerëz që ende e kultivojnë këtë pjesë të traditës.